Alessandro Del Piero duhet të qëndrojë te Juventusi deri në fund të karrierës së tij! Kjo është kërkesa zyrtare që tifozët bardhezinj i kanë bërë dje zyrtarisht klubit dhe presidentit Andrea Agnelli, duke hapur një adresë votimi në rrjetet e ndryshme sociale. Ata kanë ngritur një formë peticioni ndaj ftohtësisë që presidenca bardhezi po shfaq kundrejt kapitenit legjendar, duke kërkuar brenda dy ditësh mbledhjen e 50 mijë ′firmave′ në formë presioni për presidentin Agnelli. Ky i fundit tani duhet ta mendojë mirë edhe njëherë të ardhmen e ′Pinturichios′, pasi tifozët mund të bëjnë një protestë sezonin e ardhshëm, e cila mund t’i kushtojë miliona euro klubit. Tani situata është bërë serioze në Torino dhe mbase në fund, përveç titullit kampion, tifozët mund të marrin edhe një tjetër dhuratë nga klubi, konfirmimin e numrit 10, Alex Del Piero. Edhe nga trajneri Antonio Conte e ka vlerësuar lart Del Pieron duke e quajtur lojtar fantastik “Për Del Pieron, Borriellon, apo çdo lojtar tjetër të Juves, i cili ka dhënë kontributin e tij këtë sezon, do të bëhet një vlerësim i hollësishëm, pasi të mbyllim këto 3 ndeshje që kanë mbetur për t′u luajtur.". ka përfunduar Konte.
(panorama-sport)