
BOGDANI
Për ata që kanë patur dyshime nëse Erjon Bogdani do të jetë apo jo pjesë e kombëtares, Xhani De Biazi jep një ide të qartë: “Bogdani është një futbollist shumë i rëndësishëm për ne, madje me aq sa shoh jo vetëm për ne, - u shpreh trajneri i Shqipërisë. – Kohët e fundit i ka shënuar golat e tij, i fundit ndaj Milanit, kështu që unë besoj shumë tek ai. Me Bogdanin, mund të ndërtojmë diçka të rëndësishme në kombëtaren shqiptare”, tha më tej Xhani De Biazi. Një deklaratë, që pak a shumë do të thotë konfirmim i sulmuesit 34 vjeçar në ekipin kuqezi, duke parë jo vetëm formën e tij momentale, por edhe peshën që Bogdani ka në sulmin kuqezi.
EDGAR ÇANI
Një tjetër futbollist, për të cilin Xhani De Biazi ka që tani afeksion, është Edgar Çani. Ish-sulmuesi i Modenës në Serinë B arriti të shënonte gol që në ndeshjen e parë me fanelën kuqezi, duke fituar besimin e teknikut, që e kërkoi thuajse me ngulm. “Tani Çani luan te Polonia e Varshavës dhe sipas meje, mund të bëjë gjëra shumë të mira, - komentoi De Biazi për të. – Edgari pati fatin që me mua, pas vetëm 2 minutash në fushë, gjeti menjëherë rrugën e golit. Veç kësaj, kam vlerësimet dhe konsideratat më të mira për të. Jam i bindur që mund të ecë mjaft mirë. Në krahasim me fillimet e tij, është shumë më agresiv e sidomos, shumë konkret para portës. Mund të bëjë vërtetë gjëra të mira, ndërsa në Itali, them se nuk kishte kohën e nevojshme për t’u kujtuar siç e meriton”, shtoi tekniku i përfaqësueses shqiptare.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)