
Interi i bën favor Juves Ka përfunduar me rezultat 4-2 Derby della Madonina ndërmjet Interit dhe Milanit. Sniejder dërgoi një top në zonë, të cilin e pranoi Walter Samuel dhe ia pasoi Diego Militos, ndërsa argjentinasi shënoi për epërsinë e zikaltërve (14’). Pas ndërhyrjes së pastër të Julio Cesar në Kevin-Prince Boateng, arbitri akordoi një penalti të paqenë në favor të Milanit, të cilën e shndërroi në gol Zlatan Ibrahimovic (44’), për t’i dërguar skuadrat në pushim me rezultat të barabartë. Rossonerët e filluan në mënyrë të jashtëzakonshme gjysmën e dytë. Ishte Ibracadabra njeriu që kaloi Milanin në epërsi (46’). Mirëpo, nuk kaloi shumë kohë dhe Milito u ndal në mënyrë të parregullt në zonë nga Abate. Argjentinasi mori përgjegjësinë dhe e barazoi rezultatin (52’). Pas lojës së Nestas me dorë brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit, gjyqtari shënjoi te pika e bardhë. Diego Milito me kompletimin e het-trikut të tij e fundosi Milanin (80’). Maicon shoi çdo shpresë të Rossonerëve për titull duke e shënuar golin e katërt të Nerazzurëve. Milani mbetet katër pikë prapa Juventusit dhe e mbyll sezonin 2011/2012 pa asnjë trofe.