01 maj 2012

Zyrtare;Roi Hodgson trajneri i ri i Anglise

Federata Angleze e Futbollit ka zyrtarizuar Roi Hodgson si trajner të ri të kombëtares së “Tre Luanëve”. Ish-trajneri i shumë skuadrave, aktualisht në stolin e West Broumiç, do të jetë për 4 vitet e ardhshme numri një i kombëtares angleze, duke pasur në këtë post italianin e dorëhequr, Fabio Kapelo, pas problemeve që lindën me heqjen e shiritit të kapitenit Xhon Territ. Ndeshja debutuese për Hodgson do të jetë më 26 maj, në miqësoren ndaj Norvegjisë. Në fakt, favorit për këtë post ishe trajneri i Totenhemit, Herri Redknap, i cili e refuzoi këtë detyrë, ndërkohë që përflitej edhe Pep Guardiola, që së fundi zyrtarizoi vendimin për të mos rinovuar kontratën me katalanasit. Sikurse thamë edhe më sipër, Hodgson ka rënë dakord me drejtuesit e FA-së për një kontratë katërvjeçare, që shkon deri në vitin 2016. Ai do të jetë trajner dhe përgjegjës për finalet e Kampionatin Evropian të kësaj vere, që luhet në Poloni dhe Ukraina, për Kupën e Botës 2014, që luhet në Brazil dhe për “Euro 2016”, që zhvillohet në Francë. Pra, kontrata e tij përfshin tri fushata kualifikuesesh dhe finale të kompeticioneve të ndryshme, Botëror dhe Europian. Klubi i West Bromuiç ka lëshuar një deklaratë, në të njëjtën kohë, në të cilën thotë se Hodgson do të largohet pas dy ndeshjeve të fundit të sezonit, para se të marrë zyrtarisht frenat e kombëtares së Anglisë, më 14 maj, ditën kur ul siparin Premier Liga. Federata Angleze, po ashtu, ka konfirmuar Hodgson si menaxherin e 13-të të përhershëm të Anglisë, pas bisedimeve që kanë përfunduar pozitivisht mes palëve në “Wembley”, të martën në mëngjes. Që nga largimi i Kapelos, Stjuart Pirs kishte qenë përkohësisht në krye të “Tre Luanëve”. Redknap: Jam i lumtur për Roin Trajneri i Totenhemit, Herri Redknap, nuk ka shfaqur asnjë shenjë keqardhjeje që ai nuk do të jetë trajneri i ardhshëm i Anglisë, edhe pse ishte kandidati favorit. “Për mua, jo vetëm që nuk ka asnjë problem, por Anglia ka bërë zgjedhjen e duhur. Unë i uroj shumë suksese Roit, sepse është një njeri i madh dhe ka një eksperiencë të jashtëzakonshme ndërkombëtare. Nuk ndjej aspak keqardhje, sepse unë kam një punë të mrekullueshme për të bërë këtu në Londër, dhe ajo është të drejtoj klubin e Totenhemit. E theksoj edhe një herë, Anglia bëri zgjedhjen e duhur dhe i uroj shumë fat në Evropianin e kësaj vere”, – tha 64-vjeçari.

(panorama-sport)
 

Flickr Photostream

Twitter Updates

Meet The Author