Mund të qetësohet më në fund trajneri De Biazi, por edhe drejtuesit e FSHF-së, sepse kanë konklduar në një miqësore interesante për kuqezinjtë. Do të jetë pikërisht Katari, kundërshtari i Shqipërisë në futboll, që më 22 maj do të testojë tanët sërish para startit të edicionit kualifikues në grupe, për Botërorin 2014. Kjo ndeshje miqësore do të luhet në fushën asnjanëse të Madridit, në kryeqytetin e vendit iberik. Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e Federatës Shqiptare të Futbollit. Më herët është fiksuar data 15 gusht, që të luhet me Moldavinë në Tiranë, thuajse tri javë përpara përballjes së parë zyrtarë në Grupin E të eliminatoreve ndaj Qipros, përfaqësuese me të cilën Shqipëria ka edhe fitoren më të thellë në historinë e saj (6-1, në miqësoren në “Qemal Stafa”). Kjo ndeshje do të jetë mundësia e fundit që trajneri De Biazi do ta shfrytëzojë për të provuar për taktikën që ekipi do të përdorë në ndeshjet eliminatore të shtatorit. Shqipëria me Moldavinë është përballur dy herë në eliminatoret e Europianit 1996, duke i fituar të dy ndeshjet (3-0 në “Qemal Stafa” dhe 3-2 në Kishiniev). Tashmë vjen kjo miqësore tjetër tepër interesante me Katarin, ballafaqimi i parë në historinë e të dyja palëve, vend i cili i ka rritur se tepërmi interesat në futboll, për shkakun se “Botërori 2022” do të zhvillohet në këtë vend të vogël, por shumë të njohur për pasuritë e tij. Madje, disa klube europiane kanë tashmë pronarë ose aksionarë sheikë nga Katari, të cilët po i derdhin paratë lumë, duke e ndryshuar në njëfarë mase edhe “rrotën e historisë” në futboll. Shembulli i Mancester Sitit apo i Paris SG janë mjaft doimethenës në këtë drejtim, sepse lojtarët më të mirë po rendin drejt tyre, nisur nga joshja financiare. Ndoshta në këtë aspekt mund të përfitojnë dicka edhe kuqezinjtë tanë, përvecse do të testojnë veten në një miqësore pararendëse të fushatës kualifikuese në grupe të Botërorit 2012. Një mundësi shumë e mirë kjo për futbollistët tanë kuqezinj, për ta bindur trajnerin De Biazi, për të zënë një vend në listën e preferuar të italianit. Ky i fundit ka zhvilluar vetëm një ndeshje me Shqipërinë, që pas emërimit të tij në stolin kuqezi, pikërisht në Tbilisi të Gjeorgjisë, ku u mundëm më 29 shkurt me rezultatin 2-1. Pikërisht aty, De Biazi bëri debutimin me kombëtaren e vendit të shqiponjave, ashtu sikurse debutuan edhe lojtarë të tillë si Cani, Zeqiri, Sadiku. Kujtojmë se në atë miqësore munguan shumë titullarë, për shkak dëmtimesh, ndërsa Samir Ujkani priti dy penallti. Shqipëria bën pjesë në Grupin E kualifikues për “Botërorin 2014”, bashkë me Zvicrën, Norvegjinë, Slloveninë, Qipron dhe Islandën. Kuqezinjtë e ngrenë siparin e kësaj fushate pikërisht në “Qemal Stafa”, më 7 shtator të këtij viti, kur do tëp resin qipriotët, ndërsa pas katër ditësh ballafaqohn me Zvicrën, në fushën e helvetëve.
(panorama-sport)