Juventusi po tregon një formë të jashtëzakoshme këtë sezon duke mbetur e pamposhtur pas 35 javësh në Seria A dhe duke qëndruar në krye me 77 pikë, 3 më shumë se Milan. Juventusi i vjetshëm nuk ndryshon shumë nga ky Juventus që Konte ka ndërtuar më duart e tij. Vlerat e shtuar të këtij ekipi janë padyshim Pirlo dhe Vuçiniç,dy lojtarë me shumë klas që dinë të zgjdhin çdo ndeshje me mënyrën e tyre. Pirlo vazhdon të mbetët ‘orkestruesi” i mesfushës bardhezi ndërsa Vuçiniç lojtari me më shumë klas, një “Boksiç” i rilindur. Regjizori i Juventusit Andrea Pirlo është lojtari që ka luajtur më shumë në Seria A, me vetëm një ndeshje të humbur për shkak kartonash. Ai ka prekur në ndeshjen e fundit ndaj Novarës plot 177 topa. Pirlo është kudo në fushën e lojës, shpik topa për lojtarët e skuadrës, mbron, bën presing, dhe jep shpirtin në fushë. Platini i pranishëm në sfidën e fundit u shpreh i mahnitur nga ky futbollistë duke thënë që: “Në Juventus njoh vetëm Pirlon”. Një prurje mëse e sukseshme nga merkato e verës është edhe Mirko Vuçiniç që ka kaluar një sezon mjaft të mirë në rradhët e ‘’zonjës së vjetër’’. Ai ka qenë i disponueshëm në çdo moment kur ekipi ka pasur nevojë, gjithmonë në kontakt me topin, ka luajtur në çdo pozicion. Vetëm në një rast ka braktisur Juventusin në takimin e fazës së parë në “Juventus Stadium” në barazimin ndaj Bolonjës kur e la ekipin e tij me 10 lojtarë. Ai ka prekur 47 topa në 66 minutat e luajtura ndaj Novarës, duke gabuar vetëm në 4 pasime. Konte i vlerson të dy futbollistët si shtylla e ekipit. Pirlo është i pazëvëndësueshëm ndërsa malazezi është lojtari më i talentuar në skuadrën e tij për sulmin. Prania e tij në fushë është bërë diçka normale duke lënë në stol si kapitenin e ekipit Del Pieron ashtu edhe lojtarin që ka shënuar më shumë deri tani për Juven, Matrin. Mirko Vuçiniç kundër Novarës bëri 4 gjuajtje në portë, 2 gola, 1 pasim filtrues dhe një krosim. Numrat flasin qartë që ai Pirlo dhe Vidal janë tre nga futbollistët më të mirë të ekipit, janë vlera që i mungonte këtij Juventusi dhe së bashku me gjithë grupin formojnë një skuadër që po luan një sezon sepktakolar. Mbeten edhe 3 ndeshje për të kurorëzuar gjithë punën e tyre në kampionat, si dhe sfida e Kupës së Italisë ndaj Napolit me 20 Maj.
(Gazeta Idea)