Mancini:
Trajneri i Mançester Sitit shprehet i lumtur për fitoren e arritur, por nuk e cilëson atë si vendimtare në garën për titullin kampion. “Morëm tri pikë të rëndësishme dhe plotësisht të merituara. E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë, pasi Junajtid është një ekip mjaft i fortë, megjithatë e administruam me sukses lojën. Ata menduan më shumë për t’u mbrojtur dhe në fakt, nuk patën asnjë rast të mirë për shënim. Gjithçka shkoi siç duhej. Titulli kampion? Është ende herët për të folur, llogari do bëjmë vetëm pas ndeshjes së radhës në kampionat. Madje, mendoj se Junajtid është pak më i favorizuar se ne për të triumfuar”, – u shpreh Mançini. Trajneri italian përgëzoi edhe kapitenin Kompani, i cili shënoi golin e fitores. “Jam i lumtur për të, sepse e meriton një gol kaq të rëndësishëm dhe që sigurisht nuk mund të harrohet lehtë. Një mbrojtësi nuk i takon shpeshherë që të gjejë rrugën e rrjetës, por Vinsent e bëri pikërisht në derbi”, – shtoi tekniku italian. Në fund, ai komentoi debatin e ashpër që pati me Aleks Fergusonin. “Është normale që trajnerët të jenë nën tension në përballje të tillë, por nuk e kuptova agresivitetin e Aleksit. Ai m’u afrua dhe më shau me një fjalor tepër vulgar. Unë iu përgjigja. Gjithsesi, mendoj se janë gjëra që lidhen me emocionet e momentit dhe për mua nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”, – përfundoi Mançini.
Ferguson:
Aleks Ferguson e pranon humbjen dhe e cilëson atë si një rezultat të drejtë. “E patëm të vështirë që të krijojmë raste për shënim. Kundërshtari luajti më mirë, fitoi dyluftimet në mesfushë dhe mund të them se e meritoi fitoren. Nuk mund të ankohem për rezultatin. Tashmë ata janë në një pozitë tepër komode në garën për titullin kampion dhe detyra jonë e vetme është që të fitojmë dy ndeshjet e mbetura”, – deklaroi trajneri i Manchester United. Për sa i përket incidentit me trajnerin e Cityt, ai tha: “Mancini kishte gjithë javën që komentonte arbitrat dhe përgjatë gjithë ndeshjes vetëm ankohej te gjyqtari i katërt. Në këtë mënyrë nuk bënte gjë tjetër veçse ushtronte presion mbi ta. Nuk është aspak e drejtë një gjë e tillë, aq më tepër që arbitrimi ishte mjaft cilësor. Sigurisht që u nervozova, pasi një trajner nuk duhet të përdorë kësi mënyrash”. Edhe pse arritën të kryesojnë me tetë pikë, tashmë “djajtë e kuq” renditen të dytët, me pikë të barabarta me Cityn.