Në “Wembley”, fituesit e Kupës së Ligës vihen përballë finalistëve të Championsit. “Të kuqtë” dhe “blutë” kërkojnë trofeun që do t’i “ngushëllonte” për ecurinë në kampionat
(18:15) Liverpul – Çelsi
Formacionet e mundshme:
Liverpul: Reina, Xhonson, Skrtël, Ager, Enrike, Henderson, Shelvei, Douning, Xherrard, Belami, L.Suarez.
Çelsi: Reina, Bosingua, Ivanoviç, Terri, E.Kol, Mikel, Meireles, Ramirez, Lampard, Mata, Drogba.
Mungesat e vazhdueshme të Lukas Leivas (dëmtim në ligamente) dhe Çarli Adam (dëmtim në gju) e detyrojnë trajnerin e Liverpulit, Keni Dalglish, që të zgjedhë mes të rinjve Xhei Spiring dhe Xhonxho Shelvei në qendër të mesfushës. Ky i fundit madje luajti më mirë në humbjen 1-0 të martën kundër Fulhemit dhe mund të ketë edhe rol titullari.
Luis Suarez nuk luajti në atë ndeshje, por do të jetë kundër Çelsit si sulmues kryesor – shënoi tre gola kundër Noruiç Sitit herën e fundit që luajti- kurse kapiteni Stiven Xherrard do të jetë në fushë për ta mbështetur. Endi Keroll do të jetë në pankinë për këtë ndeshje. Brenga e vetme që ka trajneri i Çelsit, Roberto Di Mateo, do të jetë ajo në qendër të mbrojtjes, ku David Luiz dhe Geri Kahill (të dëmtuar) janë në dyshim për të luajtur në mbrojtje në krah të Xhon Territ.
Ka mundësi që asnjëri prej tyre të mos luajë për të mos u rrezikuar dhe në vend të tyre të luajë Branislav Ivanoviç. Eshli Kol dhe Frenk Lampard duhet të kthehen në fushë si titullarë pasi e nisën nga pankina ndeshjen e mesjavës kundër Njukasëllit, kurse forma e mirë e kohëve të fundit e Fernando Torresit, përfshirë tre golat kundër QPR-së të dielën, mund të mos mjaftojë për t’i dhënë vendin e titullarit para Didië Drogbasë.
Statistika – Kjo do të jetë ndeshja e 31-të në tetë sezonet e shkuara mes këtyre skuadrave. Liverpuli ka pësuar një gol në çdo ndeshje të Kupës së Anglisë këtë sezon. Dy gola në këtë finale do të bënin që Stiven Xherrard të linte pas trajnerin Keni Dalglish si golashënuesi i katërt më i mirë i klubit në Kupën e Anglisë. Rekordi i skocezit, të cilin ai e mban së bashku me Billi Lidell, është në kuotën e 13 golave, mjaft larg 39 golave të shënuar nga Jan Rash.
Raul Meireles dhe Fernando Torres të Çelsit si dhe Glen Xhonson i Liverpulit do të kenë rastin të përballen me ish-skuadrat e tyre. Çelsi nuk e mund Liverpulin që prej majit 2010 dhe është mundur në katër ndeshjet e fundit prej tyre. Që kur Roberto Di Mateo mori drejtimin e skuadrës si trajner i përkohshëm, Blutë kanë humbur vetëm 2 nga 17 ndeshjet e fundit, duke fituar 11 ndeshje dhe duke barazuar 4 të tjera.
Tri triumfet e fundit të Çelsit në Kupën e Anglisë (në 2006-07, 2008-09, dhe 2009-10) kanë pasur nga një gol të Didië Drogbasë. Gjashtë lojtarë të Bluve kanë shënuar më shumë se 10 gola në të gjitha kompeticionet këtë sezon. Vetëm Luis Suarez ka shënuar aq gola për Liverpulin.
Herën e fundit që këto skuadra u përballën, Xhonson shënoi golin e fitores 2-1 në triumfin e Premier Ligës për lojtarët e Dalglish në “Stamford Bridge” më 20 nëntor. Këto skuadra do të përballen me njëra-tjetrën tri ditë pas kësaj ndeshjeje, pasi ndeshja e tyre në kampionat u shty për të martën, që të luhet më parë finalja në “Wembley”.
Shifra dhe fakte:
- Në të tre rastet kur Liverpuli ka mundur Evertonin në gjysmëfinale të Kupës së Anglisë përpara këtij sezoni, të kuqtë e kanë humbur më pas finalen.
- Vetëm tri skuadra e kanë fituar Kupën e Ligës dhe Kupën e Anglisë në të njëjtin sezon: Arsenali në 1992/93, Liverpuli në 2000/01 dhe Çelsi në 2006/07.
- Liverpuli mund të bëhet skuadra e dytë që fiton të dyja kupat në një sezon, pasi i ka fituar edhe në sezonin 2000/01.
- Çelsi ka humbur vetëm një nga 33 ndeshjet e fundit në Kupën e Anglisë (përjashtohen këtu humbjet me penallti pas kohës shtesë). Ajo humbje 0-1 kundër Barnslit në mars 2008, ishte e para herë që Blutë nuk shënonin në 39 ndeshjet e tyre të fundit në Kupën e Anglisë (100 gola në total). - Duke përjashtuar ato me penallti, Çelsi nuk njeh humbje në 22 ndeshje të Kupës së Anglisë. Vetëm një skuadër ka shkuar më gjatë pa u mundur në një kompeticion të tillë: Blekbërn Roversi mes tetorit 1883 dhe nëntorit 1886 (23 ndeshje).
- Që prej fillimit të sezonit 2006/07, Frenk Lampard ka shënuar më shumë gola se çdo lojtar tjetër në Kupën e Anglisë (19).
- Kjo do të jetë përballja e 10-të në Kupën e Anglisë mes këtyre skuadrave dhe finalja e parë ku ato do të matin forcat. - Mes këtyre skuadrave nuk ka pasur ndonjëherë barazim në nëntë ndeshjet e luajtura në Kupën e Anglisë.
- Çelsi mban një epërsi të ngushtë (5-4) në ndeshjet kokë për kokë.
- Kjo përballje në Kupën e Anglisë ka parë një mesatare prej 3.8 golash në nëntë ndeshjet e mëparshme.
- Blutë kanë fituar pesë nga gjashtë ndeshjet e tyre në finalet e Kupës së Anglisë, duke mos pësuar gol në katër fitore.