Goli i mahnitshëm i sulmuesit të Manchester Unitedit, Wayne Rooney, kundër rivalit të qytetit City, nga shkurti 2011 është votuar si më i miri në historinë 20 vjeçare të Premierligës. Rooney është i lumtur që fitoi në garë me shënime të tjera, të cilat i kishte shikuar si fëmijë në televizion.
Goli i jashtëzakonshëm i Wayne Rooneyt, me gërshërë në derbin e Manchesterit në shkurt 2011, është votuar si goli më i bukur i 20 sezoneve të Premierligës. Rooney realizoi në mënyrë akrobatike pas harkimit nga Nani në minutën e 77-të të ndeshjes, duke dërguar Unitedin tetë pikë para Cityt në ligë në rrugë drejt titullit rekord të 19-të në Angli dhe ky çmim është i pari që ndahet për nder të 20 sezoneve të Premierligës.
Qindra mijëra tifozë nga mbarë bota votuan në sondazh, kurse goli i Rooneyt mori 26 % të votave të përgjithshme. Shënimi i Dennis Bergkampit për Arsenalin kundër Newcastle Unitedin në mars 2002 ishte i dyti me 19 %, kurse Thierry Henry me golin e tij me volej për Arsenalin kundër Manchester Unitedit më 2000 doli i treti me 15 %.
“Jam rritur duke shikuar Premierligën, andaj të jem fitues i kategorisë për golin më të bukur në histori të Premierligës është ndjenjë e veçantë. Ishin shumë gola të bukur në listë, gola që i kam shikuar si fëmijë: golat nga Alan Shearer, Paolo di Canio, Tony Yeboah, David Beckham. Të garoj me ta dhe të fitoj është nder i madh për mua dhe diçka që më bën të ndihem krenar. Dua t’u falënderohem të gjithë tifozëve që votuan për mua”, deklaroi Rooney.
Mbi 4.2 milionë vota përcaktuan golin më të bukur, pritjen, festën më të mirë pas një goli dhe ekipin e ëndrrave. Po ashtu gjashtë kategori tjera u vendosën nga një panel – futbollisti më i mirë, menaxheri, ekipi, sezoni, citati i paharrueshëm dhe ekipi i ëndrrave. Fituesit e këtyre kategorive do të shpallen pas dy jave në një ngjarje më 15 maj, ku do të zbulohet edhe futbollisti dhe menaxheri më i mirë i 20 sezoneve të Premierligës.
Sezoni i 20-të i Premierligës ka sjellë disa gola të jashtëzakonshëm sikurse ai i të mërkurës mbrëma nga sulmuesi i Newcastle Unitedit në duelin kundër Chelseas, pa dyshim më i bukuri i këtij viti, e që u realizua vetëm disa ditë para golit nga distanca e largët nga sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez kundër Norwichit.
Ju lutem klikoni tek reklama